Vrau kunatin, lihet në burg pa afat

02/08/2008 11:47

Bulqizë- Gjykata e Bulqizës ka dhënë burg pa afat për Shefki Lilën, i cili akuzohet për vrasjen me mjete të forta të kunatit të tij Vladimir Lica. Edhe në daljen para trupit gjykues Shefki Lila ka pretenduar tjetër shkak të përleshjes me kunatin e tij Vladimir Lica, që çoi dhe në vdekjen e këtij të fundit. Kjo ka bërë që të thellohen dhe hetimet e prokurorisë së rrethit gjyqësor Dibër për këtë ngjarje të rëndë.

Nga njëra anë vijnë dëshmitë e Shefki Lilës që Vladimri Lica, prej 6 vitesh pretendonte që djali i Shefkiut të ishte ndërruar në maternitet me vajzën në të njëjtën moshë dhe se djali ishte i tij dhe vajza e Shefkiut. Vladimiri këmbëngulte se motra kishte lindur vajzë dhe se gruaja e tij djalë dhe se fëmijët ishin ndërruar në maternitet.

Por nga ana tjetër kemi një devijancë të këtij arsyetimi për ngjarjen që ndodhi pikërisht të martën, pasi Shefki Lila që gjendet nën pranga për vdekjen e shkaktuar kunatit të tij Vladimir Lica, u ka pohuar hetuesve se vërtet ky pretendim i kunatit ishte ngritur disa herë, por e vërteta e zënkës të të martës qëndron gjetkë.

Duke e lidhur me një ngjarje tjetër të ndodhur para katër vitesh kur Vladimir Lica kishte plagosur me çifte vajzën e xhaxhait dhe se për të mbyllur cështjen vetë Shefkiu kishte paguar disa milionë lekë, të cilat më pas duhej t’ia jepte Vladimiri. Por që nga ajo ditë këto lekë nuk i janë dhënë atij.

Më tej duke rrëfyer për hetuesit Shefki Lila është shprehur se “Sa herë unë kërkoja paratë që kisha paguar për lirimin e tij, ai ngrinte pretendime për atësinë e djalit”. Madje edhe natën e funditShefki Lila ka thënë se i ka kërkuar kunatit të tij Vladimir Licës paratë që ai kishte paguar për lirimin e tij nga burgu, por Vladimir Lica kishte përsëritur akuzën e mëparshme, se djali 10-vjeçar që rritej tek shtëpia e Shefkiut ishte pasardhësi i tij i ndërruar qëllimisht në maternitet.

Back

Search site

© 2008 Te gjitha te drejtat te rezevuara.www.Media-Shqip.Ch