Ngrehu Ismail Bej nga varri!

02/08/2008 11:49

Dje mësuam sërish se krerët e universitetit të Vlorës nuk tërhiqen. Janë të bindur top se shkolla e tyre nuk e meriton atë emër. 
 

Ose më mirë, që Ismail Qemali nuk e meriton atë shkollë. Më saktë akoma, janë të bindur se mes dy palëve nuk gjendet asnjë pikë bashkimi. Dhe se puna s’pret e duhet bërë diçka.
I pari ngacmim që më sjell debati në fjalë, ka të bëjë pikërisht me ngutin, prioritetin e madh që i kanë dhënë krerët e atij universiteti, ndërrimit të emrit. Në mbyllje të vitit, në kohë analizash, shpjegimesh e përgjegjësish për punën e tyre, ata kanë zgjedhur një numër të tillë akrobatik. Duke hapur një çështje krejt jashtë takatit të tyre. Pyes veten e s’arrij për kjamet të kuptoj, se si është e mundur që ky “hall” ka zënë pa pritur kryet e vendit, e po arrin të zhvendosë shqetësimet e vërteta që ka shkolla e shoqëria jonë sot? Shqetësime që sot i njohin, i prekin e i vuajnë të gjithë. Me siguri edhe në Vlorë.
***
E dyta gjë që më vjen në mendje është pikërisht ..titulli i mësipërm i këtij komenti. Asgjë më të mirë se sa kjo nuk mund të bëjmë ne përkundrejt kësaj ndodhie banale të një grupi “senatorësh” të çuditshëm të denjë për personazhe të Dostojevskit, nga një universitet lokal të një qyteti të vogël të Shqipërisë sonë jo të madhe. T’i kthehemi pra vetë Ismail Beut e ta ftojmë që, të bëjë si të bëjë e të ngrihet për disa çaste. S’ka pse të mos e bëjë, përderisa këtë gjë afërsisht e pat bërë shumë kohë më parë Kostandini i legjendës. Këtij madje ju desh gjitha ajo punë, se nuk mjaftonte thjesht të shkundej e të nisej, por duhet të bënte pak edhe taksixhiun. Lidhur me Doruntinën e kam fjalën. Duke kaptuar jo pak, por plot shtatë male.
Ndërsa shikoni sa pak i kërkohet Ismail Beut. Mjafton që të ngrihet. Të ngrihet e të na nderojë në një mbledhje të “senatit” të universitetit të Vlorës. Besoj se “senati” do ta pranojë. Me gjithë axhendën e ngjeshur që mund të ketë. E me gjithë bindjen e “senatorëve” mbi disnivelin e madh human e kulturor  që i ndan ata vetë nga ky intelektual thuajse i humbur i një shekulli më parë....
Pjesën tjetër Ismail Beu e di vetë. Se për zotësitë diplomatike të tij edhe vetë “senatorët” e Vlorës s’besoj se kanë dyshime. Askush nuk ka dyshim pra që Ismail Qemali ynë i madh fillimisht do përulet me nderim para kryetarit të senatit të Vlorës. Pastaj edhe një seri përuljesh krejt të merituara përpara senatorëve një nga një me radhë. Le ta ulë pak politikani e diplomati ynë i paarritshëm kokën e vet të thinjur e ballin e mençur. Zonjave “senatoresha” natyrisht që duhet t’ju puthë dorën. Ndërsa rektorin është e mira ta puthë mirë në të dy faqet....
T’i bëjë njëherë këto Ismail Beu ynë pastaj shohim e bëjmë. Mundet që “senatorët” e Vlorës” të ngelen krejt të kënaqur e që këtë përulje ta marrin për nderim lidhur me punën dhe veprën e tyre. Sepse s’ka si të kemi pikë dyshimi që senati i universitetit të Vlorës dhe senatorët një nga një kanë lënë një emër dhe vepër të madhe. Vepër e cila, të gjithë e dimë sa e lartë dhe e çmuar është këtej mbi rrugët e kafenetë e të gjallëve të qytetit. Por që nuk e dinim se sa shumë u çmuaka edhe andej, përtej varrit. Të kënaqur pra e të qetësuar nga kjo mirënjohje transhendentale, senatorët mund ta lejojnë Ismail Beun që të marrë edhe fjalën. Se për i fjalës, ai ka qenë i fjalës, dhe këtë gjithashtu s’ka si e mohojnë as vetë senatorët e “Vlora University”.
E merr Ismail Beu fjalën dhe me garanci njëqind për qind përqendrohet tek niveli i lartë akademik e shkencor që po demonstron sot Universiteti shqiptar në përgjithësi dhe ai i Vlorës në veçanti. Tek epërsia e dukshme në cilësinë e përgatitjes së studentëve krahasuar jo vetëm me universitetet e vendeve përreth por edhe me “Harvardin”, “Kembrixhin” a “Sorbonën” (se Ismail Beu ishte njeri i bredhur apo jo dhe eksperiencat e botës nuk i njihte pak). Pa harruar të nënvizojë se kjo, në radhë të parë i dedikohej nivelit të lartë shkencor dhe dedikimit sublim të stafit mësimdhënës. I cili ndryshe nga përhapësit e dijes e patriotizmit në kohë të Dhaskal Todhrit a të vetë Ismail Beut që si të thuash “bënin biznes”, sot pra nuk shtyhen nga paraja e pasurimi. Ju e përbuzni paranë e pasurimin sidomos atë nën dorë, -mund të vazhdonte Ismail Beu, -sepse në mendjet e zemrat tuaja ka vetëm një qëllim e një ideal: përgatitjen e diplomantëve të aftë e të zot; ngritjen në lartësi të reja të dijes e të shkencës shqiptare!. Ky do të ishte dhe një moment kulmor në fjalimin e tij. Senatorët mund të shihnin njeri-tjetrin të habitur që ky folës që nga bota e përtej varrit e dalloi aq qartë motivin e idealin që rreh në zemrat e tyre. Dhe që i bën ata ta shohin me aq dyshim rolin e bëmat e njerëzve që bllokojnë më kot faqet e historisë. Përfshi edhe tabelën e universitetit të njohur. Të Vlorës. 
S’ka nevojë Ismail Beu të rrijë e të zgjasë muhabetin mbi çështje “anësore” që zakonisht i tjerrin armiqtë e Shqipërisë e të shqiptarëve. E kam fjalën për çështje të korrupsionit e të abuzimit në shkolla. As për emërime krejt të diskutueshme mësimdhënësish. Ca më pak për procedurën e zgjedhjeve në krye të departamenteve, e hierarkisë universitare. Ku formula “një anëtar një votë” shndërrohet shpesh në “një anëtar një ...gotë”. E ç’mund të bësh tjetër kur shpesh i bie që tre anëtarë të zgjedhin një shef? Le të merren pra keqdashësit me këto gjëra. Si dhe qeveria. E cila në fakt po e prek dhe fyen thellë sedrën shkencore të universiteteve tona. Me programe të tipit “Brain Gain” (se Ismail Beu s’ishte keq as në punë gjuhësh të huaja, apo jo), qeveria juaj e dyzeteshtata e këtij vendi -mund të shtonte kryetari i qeverisë së parë shqiptare, -dëshmon se s’ka pikë vlerësimi për nivelin e shkollës së vet dhe se çmon e nderon shumë më tepër të ardhurit nga shkolla koti të ..botës jashtë.
Ja këto mund të thotë Ismail Beu në atë mbledhje jashtë axhende. Në universitetin që vendosi me të drejtë t’i shkulë gozhdët tabelës me emrin e tij. Mund ta mbyllte me një autokritikë të fortë e të hidhur. Për atë që,  në të gjallë të vet s’mundi të bëjë sa duhet për kombin. As sa çereku i një “senatori Vlore”. 
Ç’mbetet të ndodhte më pas? Asgjë. Plaku i Vlorës do të psherëtinte i lehtësuar. Pastaj do të merrte vetë në duar pllakën e mermertë me emrin e tij dhe do të tërhiqej atje ku i takonte. Ai poshtë e tabela me emrin sipër. S’do të ishte faji i tij nëse shqiptarët do të vazhdonin me mijëra ta puthnin atë pllakë. E ta mbulonin me lule çdo 28 Nëntor.

Back

Search site

© 2008 Te gjitha te drejtat te rezevuara.www.Media-Shqip.Ch