Nga një mori futbollistësh që erdhën në provë në Shkodër, ia doli vetëm mbrojtësi kroat

03/08/2008 23:04

Pasditen e djeshme kanë nisur zyrtarisht përgatitjet e ekipit të Vllaznisë për ndeshjet e Kupës UEFA. Në orën 17:00, thuajse e gjithë lista e lojtarëve që u publikua disa ditë më parë për të qenë pjesë e skuadrës është vënë në rresht para trajnerit Agim Canaj. Për këtë të fundit, ka qenë kontakti i tij i parë që pas emërimit me këtë grup lojtarësh. Për këtë arsye, ai ka preferuar të zhvillojë një takim të shkurtër me skuadrën në dhomat e zhveshjes. Prezentë kanë qenë të gjithë futbollistët që mbyllën sezonin e kaluar, me përjashtim të shtatëshes së lënë të lirë. Ka qenë i pranishëm, ndonëse nuk është stërvitur me skuadrën, edhe sulmuesi i njohur Sinani, i cili vazhdon terapinë e tij të posaçme të riaftësimit. Trajneri Canaj u ka folur shkurt lojtarëve për rregullat e punës që do të ndjekin së bashku dhe po ashtu mësohet t'u ketë thënë se pret rregull e disiplinë. Ajo çfarë ka bërë përshtypje ishte fakti që askush nuk mungoi dje, me përjashtim të Delainit dhe Nallbanit, që u tha se ishin me leje. Në media ndërkohë ditët e fundit kishin qarkulluar shumë zëra, sipas të cilëve disa prej lojtarëve nuk ishin njoftuar se çfarë do të bëhej me të ardhmen e tyre, prandaj kishin vënë në dyshim prezencën e tyre ditën e fillimit të stërvitjes. Por kjo nuk ka ndodhur dhe për këtë arsye dje pasdite të gjithë kanë qenë prezentë. Pas takimit që trajneri Canaj ka pasur me futbollistët, këta të fundit nuk kanë lëvizur nga dhomat e zhveshjes, pasi aty do të mbërrinte zëvendëspresidenti Pjerin Fushaj. Mbërritja e tyre nga Tirana ka qenë thjesht për t'u takuar me lojtarët, për t'u uruar përgatitje të mbarë për ndeshjet europiane dhe për t'i siguruar lojtarët se shumë shpejt do të uleshin në tavolinën e bisedimeve me presidencën për të diskutuar për kontratat e reja. Pas këtij takimi të shkurtër, ekipi ka dalë në fushën e stërvitjes për të zhvilluar seancën e parë stërvitore. Kanë qenë prezentë në këtë seancë edhe lojtarët e rikthyer nga huazimet në skuadrat e tjera, si Shtubina, Tafili, Guri, Kepi, Perfati, ndërkohë që Cani ka qenë i pranishëm, por pa mundur dot të stërvitet, ngaqë është i dëmtuar dhe po zhvillon një terapi riaftësimi. Po ashtu, ka rënë në sy edhe prania e blerjes së vetme të Vllaznisë deri tani, lezhjanit Smajli, ndërkohë që ka bërë përshtypje mosprania e asnjë lojtari nga grupi i të rinjve që u seleksionuan javën e kaluar. Ndonëse trajneri Canaj kishte thënë se dje do të ishin 4‑5 të rinj që do t'i bashkoheshin skuadrës në stërvitje, prezent ka qenë vetëm futbollisti i Adës, Orges Lini. Se çfarë do të ngjajë në ditët në vazhdim, kjo mbetet për t'u parë, por me siguri që do ketë sërish afrime dhe largime lojtarësh nga skuadra. Lista përfundimtare e përbërjes së skuadrës është e lidhur ngushtë me përpjekjet që janë duke bërë drejtuesit e klubit për të marrë disa lojtarë cilësorë. Se sa do t'ia arrijnë, kjo mbetet për t'u parë në ditët në vijim.

Back

Search site

© 2008 Te gjitha te drejtat te rezevuara.www.Media-Shqip.Ch