Hiqet emri Ismail Qemali nga universiteti

29/07/2008 15:18

U godit simboli i Pavarësisë!
Si përfaqësues të Botës universitare dhe akademike, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me vendimin e Senatit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, për të propozuar ndryshimin e emrit të tij. Përpjekja për të hequr emrin e ndritur të Ismail Qemalit nga emërtimi zyrtar i këtij institucioni, është një goditje e rëndë që i bëhet jo vetëm njërit prej simboleve më të shquara të Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe njërit prej pararendësve të integrimit evropian të Shqipërisë, si themelues i shtetit të pavarur shqiptar, sipas modeleve më të përparuara evropiane të kohës.
Shkaqet e vërteta të këtij akti mbeten për t’u analizuar, porse motivimi i tij me faktin se “Ismail Qemali nuk është përfaqësues i Arsimit dhe i Shkencës”, është i padenjë dhe i pavërtetë. Me këtë motivim është mohuar veprimtaria e Qeverisë së Vlorës, si qeveria e parë e shtetit të pavarur shqiptar, në fushën e Arsimit dhe të Kulturës.
Është e pamundur të konsiderohet i tillë, një burrë shteti, i cili quhet në mbarë Shqipërinë si “Plaku i Urtë”, ndërkohë që është e vështirë të gjesh figura të tjera të mbiquajtura kaq bukur nga populli ynë si simbol i diturisë, erudicionit dhe pjekurisë.
Pavarësisht nga vështirësitë e shumta me të cilat u ndesh Qeveria e Vlorës, ajo dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit. Plaku i urtë, jo pa qëllim emëroi në postin e Ministrit të Arsimit një nga përkrahësit e tij më të zjarrtë, intelektualin e shquar shkodran Luigj Gurakuqi. Kjo sepse kishte një vizion të qartë për zhvillimin e arsimit në shtetin e pavarur, të cilin e konsideronte si “degën më të fortë të qytetërimit, me të cilin Shqipëria mund të hynte në radhët e kombeve më të përparuara”.
Si ka mundësi të konsiderohet i tillë ai që nën shembullin e kombeve më të zhvilluara të Evropës, shpalli arsimin e detyrueshëm për herë të parë në Shqipëri. Ai që për herë të parë në historinë e Shqipërisë shpalli gjuhën shqipe, si gjuhë e vetme zyrtare në të gjithë vendin. Qeveria e Vlorës, nën drejtimin e Ismail Qemalit, hapi të parën shtypshkronjë të shtetit të pavarur dhe botoi për herë të parë një gazetë zyrtare siç ishte “Përlindja e Shqypnies”. Vetëm brenda pak muajve Qeveria e drejtuar prej tij, hapi 64 shkolla shqipe edhe pse territori në të cilin e shtrinte pushtetin e saj, ishte mjaft i kufizuar. Ajo u bëri thirrje të gjithë mësuesve të Shqipërisë të paraqisnin kërkesat e tyre pranë Ministrisë së Arsimit. Detyroi këta të fundit si dhe gjithë nëpunësit, të njihnin mirë gjuhën shqipe. Në saje të mbështetjes së paçmuar që patrioti i shquar Aqif Pashë Elbasani i dha Ismail Qemalit dhe Qeverisë së tij, më 1913 rifilloi punën shkolla normale e Elbasanit që përgatiste mësues. Gjithashtu, në zonat ku e shtriu autoritetin e vet Qeveria e Vlorës, u rrit jeta kulturore si dhe botimet e ndryshme.
Ismail Qemali, ky europianist shqiptar, ka meritën që e orientoi gjithë veprimtarinë e shtetit të parë të pavarur shqiptar drejt perëndimit. Kontributi i tij është i pallogaritshëm edhe në fusha të tjera, si Politika e Diplomacia. Ai përbën ende një figurë të së ardhmes për të gjithë shqiptarët. Universiteti i Vlorës është i nderuar që mban këtë emër, i cili nuk mund të ndryshohet vetëm nga përfaqësuesit në Senat.
Për sa më sipër, mendojmë se, propozimi i Senatit të Universitetit “Ismail Qmali” Vlorë, është një vendim i marrë mbi bazën e procedurave jodemokratike dhe për më tepër, është i pabazuar, prandaj i bëjmë thirrje ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, që në zbatim të Nenit 40 të Ligjit “Për arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, të mos e pranojë këtë propozim.
Prof. Dr. Aleks Luarasi Universiteti “Luarasi”
Prof. Luan Omari Akademik
Prof. Arben Puto Akademik
Prof. Dr. Aurela Anastasi Universiteti i Tiranës
Prof. Dr. Ana Lalaj Akademia e Shkencave
Prof. As. Dr. Vasilika Hysi Universiteti i Tiranës
Dr. Eralda Methasani Universiteti i Tiranës
Iris Luarasi, pedagoge Universiteti i Tiranës

Back

Search site

© 2008 Te gjitha te drejtat te rezevuara.www.Media-Shqip.Ch