Han i çuditshëm, lë jashtë kombëtares Salihin!

03/08/2008 23:04

Janë publikuar dje nga trajneri i kombëtares Ari Han dy listat e lojtarëve për miqësoret e radhës, atë me Arabinë Saudite, më 21 mars, si dhe Moldavinë, më 26 mars. Nëse te lista që është për ndeshjen me "sheikët" nuk ka ndonjë surprizë, pasi janë thirrur lojtarët e klubeve shqiptare, ndryshe qëndron anti Moldavia. Në këtë fundit, holandezi i kuqezinjve ka bërë vërtet një listë disi të çuditshme. Pavarësisht presionit të ditëve të fundit, ajo që çudit më shumë është mosgrumbullimi i sulmuesit më të mirë shqiptar për momentin, Hamdi Salihi. Shkodrani shënon pothuajse çdo ndeshje, por Hani nuk është bindur, dhe në miqësoren e parë të vërtetë, ia ka besuar sulmin Erion Bogdanit dhe Edmond Kapllanit. I pari, i padiskutueshëm në kombëtare, por që ka shënuar vetëm një gol këtë sezon për Livornon, ndërsa i dyti jashtë formës së tij, teksa ende nuk e njeh rrugën e rrjetës me Karlsruhen në Bundesligë. Vetëm fakti i lënies jashtë të një sulmuesi si Salihi, që numëron 13 gola këtë sezon, të bën të mendosh se kjo listë ndoshta nuk është "gatuar" nga holandezi, i cili për hir të së vërtetës nuk i njeh ende lojtarët shqiptarë. Ndërkohë, ashtu siç e ka paralajmëruar ekskluzivisht "Sporti shqiptar", pak ditë para shpalljes së listës, jashtë kombëtares janë lënë "veteranët" Altin Haxhi, Alban Bushi dhe Nevil Dede. Të "paprekshmit" tashmë janë larguar, por për zëvendësimin e tyre, emrat e Hanit duket se nuk janë shumë bindës. Madje, po të shikosh emrat e thirrur për mesfushorë nga kampionati shqiptar, që nuk bëjnë dot diferencën as në ekipin ku luajnë, dhe të mos afrosh lojtarë të tillë, si Dorian Bylykbashi, që po shkëlqen në Ukrainë, befasohesh vërtet. Kështu ndodh edhe për mbrojtjen. Shikon listën dhe kupton se në këtë repart jemi krejtësisht të zbuluar, ashtu siç mbetet vetë Hani me këtë listë, e cila tregon se ai nuk di asgjë për kombëtaren që ka përfaqësuar deri dje Shqipërinë. Trajneri kuqezi, holandezi Ari Han mbërrin në Tiranë më 17 mars, ndërsa dy ditë më vonë, niset bashkë me 18 lojtarët e grumbulluar nga kampionati shqiptar për në Arabinë Saudite.

Back

Search site

© 2008 Te gjitha te drejtat te rezevuara.www.Media-Shqip.Ch