Blindohet Vllaznia..Sinani do luaje?

29/07/2008 08:07
Ndeshja e së enjtes të ardhshme, Koperit, pritet ta gjejë Vllazninë në kulmin e saj. Përveç formës në rritje të njëmbëdhjetëshit të saj, që bëri një prezantim dinjitoz në transfertën e turit të parë të kupës UEFA, në Nova Gorica, përballë NK Koper, në dispozicion të teknikut Canaj pritet të jetë edhe “Këpuca e artë” shqiptare, Vioresin Sinani. I dëmtuar rëndë që prej fundit të fazës së tretë të kampionatit të kaluar, pas një pune këmbëngulëse individuale, falë edhe përkujdesjes së stafit mjekësor, ai ka arritur të lejë prapa problemet shëndetësore dhe tregohet i gatshëm për sfidën e dytë me skuadrën sllovene. Lajmi ka entuziazmuar stafin teknik dhe në përgjithësi drejtuesit e klubit, sepse, të kesh të gatshëm në stol një titullar si Sinani, është me të vertetë një “luks”, që jo çdo skuadër mund ta ketë këtë mundësi. Sinani e ndien se e ka për detyrë të japë më të mirën për skuadrën e tij, ndaj, duke parë që gjendja e tij po shkon drejt normalizimit, ka filluar të mendojë që, në rast se skuadra do të ketë nevojë për të, ai do të jetë i gatshëm të kontribuojë.

Nostalgjia për fushën

Qëndrimi kaq gjatë larg fushës, ka bërë që Sinani të mos ndiehet mirë. Sulmuesi është shquar gjithnjë për angazhimin e tij maksimal, duke qenë “non stop” në shërbim të skuadrës kuqeblu, derisa u detyrua të largohej me barrelë nga fusha, pas dëmtimit të pësuar në fundin e sezonit të kaluar. Gjithsesi, edhe pse jo prezent në fushën e lojës, ai e ka përjetuar me emocione të mëdha suksesin e skuadrës së tij, si në fitimin e kupës së Shqipërisë, po kaq edhe në atë fitore bindëse në Slloveni, ndaj Koperit, duke hedhur kësisoj një hap të madh drejt kualifikimit në turin e dytë të kupës UEFA. “Dëmtimet janë pjesë e futbollit, unë nuk jam i pari dhe besoj as i fundit, që e provoj një gjë të tillë. Por di t’ju them se gjatë gjithë kësaj kohe, që kam qenë larg fushës së lojës, kam provuar emocione të shumta, një nostalgji që më kërkonte të isha në ndeshje, bashkë me shokët e mi kuqeblu”, thotë Sinani, që tashmë duket se do të jetë sërish pranë asaj, që i ka munguar deri tani.

“Në fushë? E di trajneri!”

Duke parë përmirësimin e dukshëm, që ka reflektuar në gjendjen e tij fizike, të gjithë pyesin:”Do të luajë Sinani, apo jo?”. Një pyetje të tillë ia drejtuam edhe ne Viorit, menjëherë pas përfundimit të seancës stërvitore të ditës së djeshme, ku sërish ishte pjesë aktive e saj. “Un` ju pata thënë edhe në pragun e ndeshjes së parë të kupës UEFA, në Slloveni, se personalisht ndihem i përmirësuar në të gjitha aspektet, madje isha i gatshëm të udhëtoja me skuadrën. Por mjeku Çoba, pas konsultimit edhe me stafin teknik, vendosën që unë të mos rrezikoja me një dëmtim të dytë, duke më sugjeruar se duhej të duroja edhe pak ditë pa u futur në lojë. Ndërkohë, edhe tani e njëjta përgjigje është, por me një ndryshim se gjendja ime është shumë më e mirë se në ato ditë. Gjithsesi, cili do të jetë pozicioni im për këtë ndeshje me Koper, përsëri është në kompetencën stafit teknik dhe të mjekut Çoba. Si ta mendojnë ata, do të jem në fushë, i gatshëm në stol, apo në tribunë, kjo do të vendoset deri ditën e enjte, kur do të luhet ndeshja në stadiumin “Loro Boriçi” është “rrëfyer” Sinani. Megjithatë, pavarësisht pozicionit të tij në këtë ndeshje, Viori nuk ka asnjë dyshim që Vllaznia do të kualifikohet në turin e dyt, nisur edhe nga gjendja që po paraqesin shokët e tij, sidomos Sukaj që po tregohet i papërmbajtshëm. Ndërsa për merakun e aktivizimit, duke qënë tepër i bindur në kualifikim, Sinani thotë se “edhe po nuk luajta në këtë ndeshje, do të kem rast të aktivizohem në turin e dytë, në të cilin edhe kundërshtari do të jetë me siguri edhe më i fortë”.



Sport Ekspres
Back

Search site

© 2008 Te gjitha te drejtat te rezevuara.www.Media-Shqip.Ch