Dyshimi, shiten 297 raketa tokë-ajër

03/08/2008 23:03

Mes datës 16 dhe 18 maj një avion i huaj ka zbritur në aeroportin nderkombëtar të Rinasit. Aresyeja? Majft e çuditshme! Do të ngarkohej me 287 raketa tokë-ajër të tipit Manpad, të cilat janë marrë nga depot e ushtrisë shqiptare dhe janë nisur drejt një destinacioni që askush nuk e di. E gjithë ngarkesa është transportuar me kamion ushtarakë dhe është ngarkuar me shpejtësi në mjetin fluturues. Lajmi, i dhënë nga burime ushtarake, konsiderohet si i saktë, ndonëse mbetet i pakonfirmuar në rrugë zyrtare. Më e habitshmja në këtë mesele të re post-Gërdec dhe post AEY, është se sipas të njëjtit burim, gjithçka po konsumohet si një transaksion i thjeshtë armatimi, pra pa vendim të Këshillit të Ministrave.

Për më tepër, e kjo është po aq e rëndësishme, i njëjti burim konfirmon se nuk kishim të bënim me armatim të tipit “skrap”, pra që është përfshirë në listat e demontimit, por për një kontigjent armësh, të cilat duhet të mbeteshin në zotërim të ushtrisë shqiptare, konsideruar sasinë e vogël të tyre (287 të tilla) dhe gjendjen perfekte të funksionimit të tyre. Në të shkuarën nëse i referohemi burimeve ushtarake vendi ynë ka shkatëruar me asistencën amerikane, një pjesë të këtij arsenali. Nuk dihet nëse ndodhemi përballë një afere tjetër të errët tregtie armësh, apo përballlë një lajmi që mbetet për tu saktësuar më pas. E vërteta është se ky rast i fundit tregon se rreth arsenalit të armëve shqiptare vijon të mbetet shumë i gjallë interesi I të huajve, të cilët mesa duket nuk janë sprapsur aspak nga incidentet dhe historitë e fundit korruptive në të cilat është përfshirë Shqipëria, pikërisht lidhur me armët e saj të shumta në depot e shpërndara në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër vijimi i tregtisë së armëve, në mesin e një fortune që ka kushtuar deri tani një kokë ministri dhe disa funksionarë të tjerë nën hetim, përbëjnë një episod që kërkon vëmendje të fortë publike. Shqipëria po gjen një vështirësi serioze në demontimin e kontigjenteve të konsiderueshme në armatim të vjetër që ka trashëguar nga nga koha e komunizmit në tunelet e ushtrisë shqiptare. Rasti i Gërdecit, më tragjiku dhe më i bujshmi, ka treguar se trajtimi i këtij bizensi si një veprimtari kaotike dhe e paorganizuar, apo edhe më keq, si një aferë fitimprurëse për një numër të vogël zyrtarësh dhe biznesmenësh, ka sjellë humbje në jetë njerëzish dhe një imazh katastrofik për vendin në skenën ndërkombëtare.

Informacioni i fundit shton edhe më shumë zërat që e shohin tregtinë e armëve shqiptare si një dosje të paqartë dhe me hapësira të shumta abuzimi. Nga ana tjetër duhen kujtuar edhe deklaratat e bëra nga kryeministri për armë të ofruara vendeve fqinje apo edhe premtimet për armatim falas për vende si Afganistani. Është i lavdërueshëm vullneti për të shkatëruar apo larguar sa më shumë armatim të panevojshëm nga vendi ynë. Por nëse nën këtë etiketë do të largoheshin dhe armë që do ti vlenin nesër një vendi anëtar të NATO-s, kjo do të ishte një lëvizje e pastudiuar dhe e dëmshme nga ana financiare por edhe ushtarake.

Raketat janë përdorur vitet e fundit nga terrroristët

Sistemet mbrojtjëse tokë-ajër, ndryshe të njohura si “Manpad” (Man-portable-defense-system) janë raketë-hedhëse që mbështeten në shpatull dhe gjuajnë në ajër. Zakonisht ato përdorin sistemin infrared të shënjestrimit dhe përbëjnë një rrezik për mjetet që fluturojnë afër tokës, sidomos helikopterët. Manpad-et e para u zhvilluan në vitet 50 për të siguruar mbrojtje nga sulmet ajrore ndërkombëtare që sot ato përbëjnë një rrezik shumë të madh pasi shpesh përdoren prej terroristëve që mund të godasin linja të ndryshme ajrore.

Këto lloj raketash janë përdorur në tre dekadat e fundit gjerësisht në konflikte të ndryshme si dhe nga organizata terroriste. Ato mund të blihen lehtësisht në treg të zi me çmime që variojnë nga disa qindra dollarë deri në 250 mijë dollarë për ato më të fundit. Vetëm 17 vende prodhojnë manpad-e. Përmasat e modeleve arrijnë deri në 1.8 metra dhe peshojnë deri në 18 kilogram, në varësi të llojit. Ato mund të arrijnë të godasin deri në një lartësi prej gjashtë mijë metra. Nga fillimi i prodhimit të tyre deri më sot, manpad-et kanë parë një zhvillim të madh. Modelet e para ishin të thjeshta dhe duhej të kishe aftësi shënjestrimi ndërkohë gjenerata më e fundit është ajo me ndjesi termike. Nazistët prodhuan paraardhëset e manpade-ve në vitin 1944, ndonëse jo në sasi të mëdha, një tip lëshues rakete 20 mm, të quajtur “Fliegerfaust” e cila kërkonte aftësi të lartë shënjestrimi.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore ndërpreu projektin. Edhe sovjetikët kishin zhvilluar këtë projekt, por më pas ata e braktisën për tu përqëndruar tek modeli me rreze infra të kuqe. Ky lloj modeli është i projektuar që të godasë zonën e objektivit që është burim nxehtësie, zakonisht motorin. Këto lloj raketash janë të vështira për tu gjurmuar. Në vitet 60 këto lloj raketash morën një zhvillim të madh dhe kështu nisi gara mes dy blloqeve për të patur modelin më të mirë. Nga brezi i parë dhe deri tek brezi i pestë, që është arritur sot, ekziston një diferencë e madhe, duke kthyer këtë lloj arme në një nga më të rrezikshmet. Shqipëria ka në përdorim Manpad të prodhimit kinez, HN-5A/B, që janë të përafërta me modelin sovjetik “Stela”.

 
Back

Search site

© 2008 Te gjitha te drejtat te rezevuara.www.Media-Shqip.Ch